Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, është nën hetim paraprak nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme.

Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetit të PD, Gent Strazimiri, i cili kërkoi nga SPAK-u përse nuk hetohet Irena Gjoka për mosdeklarim të formularit të vetëdeklarimit dhe që ka gënjyer. Kreu i SPAK theksoi se për gjyqtaren Gjoka është regjistruar procedim penal në qershor 2025 dhe hetimet janë në fazën paraprake.

“Është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të japim informacione. Kemi procedim penal të regjistruar në qershor 2025 dhe po kryejmë veprimet e nevojshme hetimore”, tha Altin Dumani.

Opozita e ka akuzuar vazhdimisht Irena Gjokën se ka një dënim nga Gjykata e Janinës në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dhe se në vitin 1996 është shkarkuar nga detyra. Irena Gjoka është edhe gjyqtarja e hetimeve paraprake ndaj Sali Berishës për dosjen “Partizani”