Një peshkatar është gjetur i pajetë në ujërat pranë ishujve të Ksamilit, në Sarandë.
Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, 61 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det. Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur edhe mjetin e tij lundrues, i cili ishte fundosur.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në kohën kur zona u përfshi nga stuhia dhe moti i keq.
Grupi hetimor po punon në dy pista: atë të një mbytjeje aksidentale të shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike, si dhe mundësinë e një vetëmbytjeje.
Burime bëjnë me dije se 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai nuk rezulton të ketë familjarë të tjerë, përveç një motre.
Policia vijon veprimet hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
