Një trafikant shqiptar droge i është shmangur dëbimit nga Britania e Madhe pasi një gjykatë mori në konsideratë gjendjen e vajzës së tij, e cila vuan nga urinimi i pavullnetshëm gjatë natës.

Shpresim Koka, 38 vjeç, argumentoi para gjykatës se vajza e tij kishte nevojë për “ndërhyrje terapeutike”, pasi problemet e saj ishin përkeqësuar gjatë kohës kur ai ndodhej në burg.

Sipas mediave britanike, Koka kishte deklaruar se ishte refugjat nga Kosova kur mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2001, në moshën 14-vjeçare.

Gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, ai u dënua me 21 muaj burg për rolin e tij në një grup të përfshirë në pastrimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës.

Ai u arrestua nga Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA), pasi u kap duke dorëzuar mbi 300 mijë paund në zonën Park Royal, në perëndim të Londrës, raporton The Sun.

Pas vuajtjes së dënimit, autoritetet nisën procedurat për dëbimin e tij nga Britania. Megjithatë, ai qëndroi në vend dhe më vonë u dënua me tre vite burg për trafik kokaine.

Pas një ankese në gjykatë, Koka ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendimi u mbështet në një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Çështjet e Emigracionit, e cila në shkurt arriti në përfundimin se “pasojat për vajzën e tij do të ishin jashtëzakonisht të rënda” nëse ai do të dëbohej.

Ministria e Brendshme britanike (Home Office) mësohet se e ka kundërshtuar këtë vendim dhe tashmë është urdhëruar zhvillimi i një seance të re gjyqësore.

Robert Bates, nga Qendra për Kontrollin e Migracionit, deklaroi për The Sun: “Ky kriminel nuk duhet të lejohet të vazhdojë të dëmtojë rrugët e Britanisë. Përndryshe, vajza e tij mund të kthehet së bashku me të në Shqipëri.”