Duket se Inteligjenca Artificiale do të integrohet në çdo spektër të jetës sonë.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka hedhur idenë që edhe martesat të mund të bëhen online. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e platformës “Startup Albania”, Rama tha ende nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë formë të veçantë celebrimi, por së shpejti, me ndihmën e AI mund të realizohet.
Më tej, mes batutash, Rama tha se divorcet janë më të lehta, pasi ai vetë ka përjetuar disa.
“Nuk e kemi zgjidhur ende problemin e martesave online, kjo është ende një gjë që ende se kemi plotësuar, se duhen dëshmitarët dhe dëshmitarët, por edhe mund ta bëjmë.
Besoj fort që divorcet, se unë nga përvoja kam pasur disa, janë më të thjeshta sepse bëhen në Whatsapp dhe më pas formatizohen në sallën e gjyqit. Por martesa është pak më e vështirë si proces. Këto janë bekime që gjenerohen nga teknologjia dhe AI na jep oportunitete të reja.”– tha Rama.