Policia e Tunizisë ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë qytetarët që u tubuan para ambasadës amerikane në Tuniz, në shenjë proteste ndaj një filmi “anti-islamik”, që solli edhe vrasjen e katër diplomateve amerikanë në Libi, përfshirë edhe ambasadorin e SHBA në këtë vend.


Filmi i prodhuar privatisht në Shtetet e Bashkuara, me regjisor një shtetas izraelito-amerikan, qe shkaktar i sulm vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Libi dhe më herët për protesta të ngjashme në Egjipt.


Rreth 200 protestues raportohet të kenë djegur flamuj amerikanë dhe të kenë hedhur gurë në drejtim të policisë në Tuniz. Ndërkohë, protestuesit janë mbajtur larg ambasadës amerikane nga forca të shtuara të sigurisë.


Presidenti i Tunizisë, Moncef Marzouki nga ana e tij, ka dënuar vrasjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Kristofer Stivens, dhe të tre bashkëpunëtorëve të tij amerikanë në Bengazi të Libisë, duke e cilësuar këtë sulm si “akt terrorist”

12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)