Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kritikuar qeverinë për skandalin e diplomës shqiptare të djalit të politikanit italian, Umberto Bossi. Para të rinjve, kreu i opozitës theksoi se Shqipëria duhet të jetë një vend dinjitoz dhe jo të bëhet gaz i botës. Ai e konsideroi të turpshme historinë e diplomës dhe për shkak të faktit se sipas tij, Bossi është një racist antishqiptar. “Duam një Shqipëri Europiane, të respektuar në bashkësinë e Europës, jo një vend që bëhet gazi i botës, siç u bë dhe dje me diplomën false të djalit të Umberto Bossi-t, karagjozit racist dhe antishqiptar matanë Adriatikut. E tërë Shqipëria dhe e tërë Italia u morën dje më atë diplomë të shitur në këmbim të parave”, deklaroi Rama. Sipas tij, Shqipëria ka detyrimin t’u japë të rinjve të saj një sistem universitar, duke shtuar se Partia Socialiste me ardhjen në pushtet është e vendosur t’i japë fund maskaradës së tregtisë së diplomave. “PS do t’i japë fund maskaradës të tregtisë së diplomave në vend. Ne duhet të ndërtojmë një sistem universitar europian, ku të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të përgatiten për të qenë qytetarët e aftë dhe të barabartë të bashkimit të nesërm europian”, deklaroi Rama.