Gjyqtari i Durrësit, Olti Skrame i ka dalë në mbrojtje kolegut të tij Marko Boshku, pas akuzave nga kryeministri Edi Rama këtë të hënë. Skrame thotë se kolegu i Gjykatës Administrative të Tiranës është nga ata djem dhe gjyqtarë që ke nder t’i kesh kolegë.
“Marko Boshku është nga ata djem dhe gjyqtarë që ke nder t’i kesh kolegë! Sikur të kishim disa Marko më shumë, jo vetëm në gjykatat administrative, por në çdo gjykatë, Shqipëria do të ishte vend shumë më i mirë, i lirë dhe i drejtë. Gjyqësori është ‘shpikur’ mbi të gjitha për të kontrolluar, kufizuar dhe ndëshkuar të pushtetshmit, me abuzimin kronik që të jep pozita”-shkruan Skrame.
Sot kryeministri Edi Rama ka denoncuar me foto një rast, të cilin ai e konsideron flagrant, të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Tiranë, Marko Boshku, për kthimin në detyrë të ish-drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.