Deklaratat e kryeministrit Edi Rama në panelin ‘Ballkani Perëndimor dhe BE’ ne Londër kanë shkaktuar zemërim në Britani.

Kryeministri shqiptar tha se Brexit e çoi Britaninë në depresion dhe në shtimin e më shumë emigrantëve me gomone të vogla. Në panel, Rama risolli në vëmendje edhe sulmet e disa politikanëve anglezë ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët I konsiderojnë si kriminelë që kanë tejmbushur burgjet e Anglisë.
“Daily Express” nënvizon se Rama kritikoi Brexit duke pretenduar se bashkëpunimi më i ngushtë përmirëson përpjekjet për të luftuar migracionin e paligjshëm ndërsa nuk kanë munguar shigjetimet edhe për Nigel Farage.

“Në fund të fundit, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është një pasqyrë e problemeve që ka njëfarë kapaciteti teatral për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër”, citohet kryeministri Rama.

Por “Daily Express” citon një burim nga Ministria e Brendshme Britanike, i cili ishte në detyrë kur “dhjetëra mijëra” shqiptarë kalonin kanalin me gomone. “Edi Rama nuk ka idenë se për çfarë po flet.

Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”, tha burimi për median britanike.

Ndërsa tabloidi “The Mirror” citon kryeministrin Rama kur tha se ishte ende i zemëruar me ish-Sekretaren e Brendshme Suella Braverman. “Meqë ra fjala, ku është ajo? Thjesht mbaje mend, e di, mos u merr me shqiptarët sepse nëse shqiptarët të mallkojnë, thjesht zhdukesh”, citon “Mirror” deklaratat e Ramës.

Sipas “The Mirror”, Rama u bëri thirrje politikanëve britanikë të “mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveçse për arsye shumë të mira”.