Kryeministri Edi Rama bëri pasditen e të enjtes ndryshime në qeveri, duke larguar emra të rëndësishëm të selisë rozë, nga Elisa Spiropalk tek Pirro Vengu, teksa zëvendësimi i Belinda Ballukut si zv.kryeministre u bë me Albana Koçiun.

Në “Top Story” Lorenc Vangjeli ka komentuar këtë lëvizje.

“Duket si një gjë e lehtë që e ke Parlamentin të nënshtruar, por vjen një ditë që sistemi ngec në kokë. Dhe për të lexuar çfarë ndodh në të ardhmen, duhet të kemi parasysh se e ardhmja është shkruar në të shkuarën.
Në 36 krerë që ka Shqipëria, po tentoja të gjeja dikë që ka një fund të lumtur, por s’më doli asnjë.

Prisja që Rama të kishte një vullnet më të fortë dhe të ishte peng i vullnetit të tij, jo i hesapit. Pashë me dëshpërim kontrastin e pabesueshëm mes të thënës dhe të bërës.

Sot Edi Rama është në burgun e vetmisë së tij, i rrethuar nga një tufë anonimësh dhe servilësh.”- përfundoi Vangjeli.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama shpalosi para grupit parlamentar socialist shqetësimet e tij për drejtësinë e re, çështjet e nxehta të maxhorancës dhe për kërkesën e SPAK për autorizimin e Kuvendit për Belinda Ballukun. Për zv.kryeministren Rama argumentoi pse nuk ka pranuar dorëheqjen e saj, pasi për të nuk është ende koha e dorëheqjes morale kur drejtësia është në fazë revolucionare. Nuk munguan as kritikat, pakënaqësitë ndaj sistemit të ri të drejtësisë, duke u fokusuar tek procedurat dhe trajtimi i tyre. Për të gjitha këto, kryeministri paralajmëroi një ndryshim kolosal të ligjeve për kodin penal dhe procedurën penale.

Por për Berishën, fjalimi i Ramës ishte mbrojtja e vetes duke sulmuar drejtësinë. Në seancën plenare të 5 marsit, Kuvendi do të votojë raportin për autorizimin e kërkuar nga SPAK për zv.kryeministren Belinda Balluku. Cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Rama?