Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në protestë, ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me diktatorin e Shqipërisë Enver Hoxha. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se kryeministri Rama përdor krimin për të qëndruar në pushtet
“Satani i shqiptarëve e Enver Hoxha, siç dihet vdiq në vitin 1985 por e vërteta është se ai diktatura e tij, vazhduan, sundimi në fuqiplotë gjer në ditën që ne shembëm shtatoren e tij kultin makabër të Enver Hoxhës që kishte pushtuar shpirtrat e shqiptarëve. Njëlloj si sot, Rama është një kufomë politike, kalbësirë politike i damkosur, i diskredituar, i tmerruar. Njësoj si shtatorja e Enver Hoxhës, do të mbetet në atë zyrë për sa kohë nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm Hoxhën 35 vite më parë.
Diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembull në Evropë. Ajo përveç lojës së luftës së klasave me të cilën ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarë për liri, dinjitet, për besimin tek zoti tek shqiptaria, internoi e persekutoi me qindra mijëra. Përdori tiraninë e mjerimin, izolimin indoktrinimin ekstrem. Sot regjimi i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi 3 shtylla turpi, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë.
Nga Enver Hoxha me varfërinë, mjerimin e urinë kronike, i bëri shqiptarët një popull fantazmë, Rama me politikat e tij, vjedhje e farsën elektorale, me krimin dhe ligjin mburojë, po e shndërron Shqipërinë në dheun e joshqiptarëve, po shkreton kombin dhe vendin. Ngjashmëritë janë tmerrësisht të hidhura. E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur si sot nga qeveritarët e Ramës. Miliarda euro porti i Durrësit në të cilën ai e ndërton Dubain e 1001 netëve të tij. Nëse Enver Hoxha përdori kundër shqiptarëve policinë e Sigurimit të Shtetit, Rama përdor falangat e krimit. Dhe prapra diellit të shkojnë, do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me forcën e ligjit. Shqipëria e lirë, do shpallë vjedhjen e qytetarë krim të rëndë”, tha Berisha.





