Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti sot fjalën në çeljen e fushatës elektorale të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Berisha tha Shqipëria është madhështore, duke i cilësuar qytetarët si ata që e duan atdhenë dhe vlerat e lirisë. Gjithashtu, ai nuk ngruoi të sulmonte dhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për lidhje me figura të dyshimta.

“Përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Shqipërisë Madhështore. Mirëmbrëma zotit Chris LaCivita, bashkëarkitektit të rikthimit të Donald Trump. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj, e dashurisë për familjen, e atdhetarizmit dhe lirisë. Imagjinoni krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë. Imagjinoni Edi Ramën që ka në krahë Veliajn, Çyrben, Beqajn dhe McGonigalin. Sa shumë e presin. Edi Rama sonte e ke të vështirë natën. Kjo është një natë ndër më të veçantat, vijmë këtu për të nisur betejën e fitores së Shqipërisë madhështore.

Shqipëria ngrihet përsëri, e keqja e vuri para vendin tonë, këto vite 12 vite ishin për Shqipërinë, vite të shkretimit nga bij dhe bija. Ishin vite që regjimi dhe mafia bënte gjithçka që të fshinin nga kujtesa veprën tuaj të pavdekshme Shqipërinë pluraliste,  ja ku jeni sot të ringritur si feniksi për të shkuar drejt fitores. Edi Rama është strukur në zyrën e tij. Ka dy muaj që nuk fle, ka dy muaj që flet me vete, që ka frikë”- tha Berisha.