Ndërsa protestat kundër projektit të Zvërnecit vijojnë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë sërish në rrjetet sociale.
Këtë herë, ai ka publikuar pamje nga tubimi përpara selisë qendrore të PS-së, duke vënë në dukje fjalorin mjaft banal dhe sharjet që turma e grumbulluar ka drejtuar ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij politikë.
“Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë”, shkruan Rama teksa vijon duke i quajtur “miq të ftuar që si nazistët kthyen Gjermaninë në thertore”.
“MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek
Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste”, shkruan Rama.
