Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin për ish-kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinë, Edison Memolla, duke mos pranuar rekursin e tij kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Memolla ishte dënuar me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022. Pas vendimit të formës së prerë, të dhënë më 9 shkurt, ai u vetëdorëzua pranë autoriteteve dhe aktualisht po vuan dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.
Në të njëjtin proces gjyqësor, gjykata dënoi me nga 1 vit burg edhe Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani, ndërsa Isuf Tosku mori një dënim me 1 vit e 4 muaj burg, i cili u konvertua në shërbim prove.
Sipas SPAK, Memolla, gjatë kohës kur kandidonte për kryetar bashkie në zgjedhjet e 6 marsit 2022, kishte ndikuar që një abonenti debitor të mos i ndërpritej energjia elektrike, me qëllim sigurimin e votës në favor të tij.
Prokuroria pretendoi gjithashtu se Ndriçim Tafxhafa i kishte premtuar një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHEE dhe strehim në këmbim të votës për Memollën.
Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku falsifikuan procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të pavërteta.
Aktualisht, Bashkia e Rrogozhinës drejtohet nga një kryetar i komanduar.
