Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjedhur Edmond Ahmetin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, pas përmbylljes së procesit të konkurrimit të hapur për këtë pozicion.
Ahmeti vjen në këtë detyrë pas një eksperience disa-vjeçare në administratën publike, ku ka ushtruar funksione të ndryshme me fokus kryesisht në fushën juridike dhe atë të legjislacionit.
Përpara emërimit në KQZ, ai mbante postin e Drejtorit të Legjislacionit në Ministrinë e Financave, detyrë në të cilën ishte angazhuar me çështjet ligjore dhe hartimin e akteve normative.
Marrja e drejtimit administrativ të KQZ-së nga Ahmeti përkon me një periudhë të rëndësishme për institucionin. Administrata zgjedhore pritet të hyjë gradualisht në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore, të parashikuara për vitin 2027.
Në muajt në vijim, puna e KQZ-së pritet të intensifikohet në kuadër të organizimit të procesit zgjedhor dhe përgatitjes së strukturave administrative që do të angazhohen në zgjedhjet lokale.
