Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me arrestimin e Edmond Ruçit, oficer i Komisariatit të Sarandës që u vu në pranga nga AMP. Prokuroria më herët njoftoi se çështja kishte të bënte me një rast korrupsioni, teksa e gjithë ngjarja u zbulua pasi u ndaluan Adriel Zanaj dhe Keivin Duro, për trafikim lëndësh narkotike.

Mësohet se me herët, Ruçi kishte siguruar përgjime që vërtetonte aktivitetin kriminal të dy vëllezërve. Pasi realizoi përgjimin, oficeri takoi nënën e tyre dhe i kërkoi para për të mbyllur hetimet. Nëna kishte telefonuar djemtë për t’i treguar bisedën me policin dhe komunikimet u regjistruan.

Por plani i Ruçit u fundos nga vetë përgjimet e kryera nga oficeri, pasi kur Edmond Ruçi dorëzoi materialet në Prokurori, pa kuptuar dorëzoi edhe provat kundër vetes, duke mos i hequr ato nga materialet. Pas zbardhjes së bisedave, Prokuroria urdhëroi edhe arrestimin e tij.

Njoftim i Prokurorisë Sarandë për rastin:

Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.

Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.

Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në veprime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim për veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.