Efektet e para negative fluksit të turistëve në Shqipëri po ndihen drejtpërdrejt në tregun e pasurive të paluajtshme, ku dhënia e banesave me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb po rrit në mënyrë drastike koston e strehimit për ata që nuk kanë një shtëpi në pronësi.

Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga INSTAT, ky fenomen nuk është më thjesht një perceptim, por një fakt i dokumentuar statistikor.

Në prill të këtij viti, qiratë e banesave rezultuan 7.1 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky shtrenjtim po shndërrohet në një nga komponentët kryesorë që po ushqen inflacionin në vend, duke vështirësuar balancën financiare të mijëra familjeve shqiptare.

Rrënja e problemit qëndron te tkurrja e shpejtë e ofertës në tregun tradicional. Gjithmonë e më shumë pronarë banesash, të joshur nga fitimet më të larta që ofron turizmi, po i tërheqin pronat e tyre nga tregu i qirave afatgjata për t’i listuar ato në Airbnb.

Kjo zhvendosje ka krijuar një mungesë akute të apartamenteve për banim të përhershëm, duke e shtyrë kurbën e çmimeve artificialisht lart. Familjet që jetojnë me qira e gjejnë veten në një pozicion të pafuqishëm përballë këtij trendi, i cili nuk tregon shenja frenimi, por përkundrazi pritet të intensifikohet me rritjen e kërkesës sezonale gjatë muajve të verës.

Edhe pse agjentët imobiliarë raportojnë se kërkesa më e fortë për apartamente të kushtueshme mbetet e përqendruar në kryeqytet, ky është një fenomen që po prek masivisht shumë vende që i janë nënshtruar turizmit masiv.

Eksperienca ndërkombëtare tregon se kjo “krizë e strehimit” ka detyruar qeveritë në vende si Spanja, Italia apo Greqia të ndërmarrin masa agresive. Atje, autoritetet kanë filluar të vendosin kufizime strikte mbi qiratë afatshkurtra për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve vendas për strehim të përballueshëm.

Situata ka degraduar deri në tensione sociale në shumë qytete evropiane, ku banorët kanë dalë në protesta kundër turistëve. Shqetësimi i tyre nuk lidhet vetëm me çmimin e banesave, por me faktin se turizmi masiv po rrit koston e jetesës në të gjithë spektrin e saj, duke filluar nga shërbimet e deri te produktet bazike ushqimore.

Shqipëria duket se po hyn në këtë cikël, ku suksesi në turizëm po kthehet në një sfidë sociale për qytetarët e saj më vulnerabël.