Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur këtë të enjte, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar nga qeveria shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq që ka përfshirë vendin.
Berisha theksoi se situata është kritike dhe ka kërkuar veprime të shpejta nga autoritetet për të ndihmuar banorët e zonave të prekura, duke përmendur në veçanti Novoselën, ku ai u bëri thirrje banorëve që të evakuohen menjëherë. Kjo pas prurjeve të shumta në lumin Vjosa, të cilat kanë rritur ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet dhe kanë bërë që shumë zona të kenë përjetuar pasojat më të rënda.
“Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.
U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij.
Lumenj të tjerë kanë dalë dhe përmbytur zona siç është lumi i Drojës, që në fakt është një përrua në realitet, por gjatë shtrëngatave të mëdha bëhet lumë i rrëmbyer dhe ka çarë argjinaturat dhe ka përmbytur zonat e tjera.
Në asnjë vend nuk gjenden qeveria dhe përfaqësuesit e narko-qeverisë, përveçse ministri i Drejtësisë që kishte shkuar në burg dhe kishte veshur kominoshet e burgut për të dëshmuar se qeveria e tij është një qeveri e mbytur komplet.
Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia. Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin“- u shpreh Berisha.
