Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e cila ndodhi ditën e djeshme në Roskovec, ku Refit Buzi vrau me armë ish-vjehrrin dhe vjehrrën e tij Kosta(Arben) dhe Belere Plaka, e në fund veten. Buzi hyri në banesën e çiftit Plaka dhe qëlloi me armë prindërit e ish-të fejuarës, Rozalinda Plaku, e më pas rrëmbeu këtë të fundit duke e mbajtur peng. Efektivi i policisë Mariglen Korroveshaj po negocionte gjatë gjithë kohës me altoparlant me 35-vjeçarin. Ai e këshillon që mos t’i bëj keq vajzës, ndërsa pas një kohe relativisht të gjatë diskutimi, Buzi liron 24-vjeçaren.
Pas kësaj, Shefi i Policisë së Roskovecit afrohet pranë tyre, merr vajzën në krahë dhe largohet. Negociatat me 35-vjeçarin vazhduan për rreth 8 orë, por ai nuk pranoi të dorëzohej. Rreth orës 16:35, ndërsa ndodhej ende brenda automjetit, ai qëlloi veten me armën e gjahut.
Pjesë e zbardhur nga negociatat:
MARIGLEN KORROVESHAJ: Vajzës mos i bëj keq!
BUZI: Nuk e liroj, mos u afro…
KORROVESHAJ vijon negociatat: Do të zgjidhim gjithçka bashkë, ejani me mua!
BUZI: Eja merre vajzën këtu, po ta besoj ty…
KORROVESHAJ: Gjërat do të rregullohen, lëre armën dhe eja me mua
BUZI: Largohu me vajzën, ik, unë do të rri këtu! Mos u afro ose do të vras veten!
