Interpol Tirana bashkë me BKH në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në NCA lokalizuan dhe arrestuan një të kërkuar nga SPAK nën dyshimin si i përfshirë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës.

Dokumentet e gjykatës të ekstradimeve në Londër “Westminster Magistrate Court” parë nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu tregojnë se është arrestuar për qëllim ekstradimi, Korado Gështënja.

Në Angli ai përdorte edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.

Kësaj gjykate iu tha se 35-vjeçari shqiptar kërkohet mbi bazën e një urdhër-arresti lëshuar nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO  në ë Shqipërisë, për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A.

Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë proces ekstradimi tha se Korado Gështënja më ose rreth datës 17/01/2020, ka  privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij.

“Më ose rreth datës 17/01/2020, ju keni bashkëpunuar në formën e një komploti me persona të tjerë për të importuar/eksportuar droga të Kategorisë A nga Ekuadori, konkretisht kokainë, në kundërshtim me ndalimin në fuqi për këto mallra” i tha prokurori Gështenjës.

Seanca e radhës e ekstradimit do të jetë më 02/09/2026 ora 10:00 ndërsa Gështenja mbahet në një paraburgim të Londrës.

Mbetet e paqartë si i riu shqiptarë banues në St Leonards On Sea hyri në Angli.

Sipas raportimeve nga dosja e SPAK rezulton se Korado Gështenja ishte pjesë e vëzhgimit dhe më pas rrëmbimit të Jan Prengës.

Ai u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit.

Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.

Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi.