Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka thirrur mbledhje urgjente në selinë qendrore të akuzës për çështjen e pagave të bllokuara të magjistratëve.
Burime i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se mbledhja është kërkuar dhe do të mbahet në Tiranë nesër, në orën 10:00.
Kryeprokurori Çela ka thirrur takimin me shefat e prokurorive në rrethe dhe me Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa janë ftuar të marrin pjesë edhe anëtarët e KLP, përpara se nga kjo mbledhje të dilet me një qëndrim të përbashkët prej akuzës.
Gjatë ditës ka pasur reagim nga Kushtetuesja për pagat e bllokuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët dy këshillet kishin llogaritur pagat e reja sipas një formule të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
Por ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e bëri të qartë në fundjavë, gjatë një konference, se çështja e pagave zgjidhet me ligj dhe përmes Kuvendit, të cilit më 30 korrik i kaloi projektligji i ri për pagat.
Top Channel
