Nëse analizojmë të dhënat e brendshme konfidenciale nga Spitali i Traumës, pasojat e bllokimit të sallave operatore janë alarmante.
Kjo që shihni në videon e mëposhtëme është lista e pritjes për operacione e siguruar ekskluzivisht nga Inside Story. Në atë listë janë në pritje mbi 2 mijë pacientë që presin prej muajsh të tërë për të bërë ndërhyrjet kirurgjikale. Kjo radhë i përket regjistrimeve deri në dhjetor 2025, pasi numri i pacientëve në pritje është rritur muajt e fundit. Mes tyre, ka qytetarë që presin prej më tepër se 1 viti.
“Dua të të pyes për një ndërhyrje që ke planifikuar te spitali i Traumës në mars të vitit të shkuar, e keni bërë? Jo, nuk na kanë njoftuar, asnjë komunikim për një vit e ca”, u shpreh qytetari.
“Nga gjunjët nuk ecën fare, ja ishim në Librazhd, nuk ecën fare, ka mbetur këtu. Ka marrë ilaçe në Itali gjithandej, nuk i bëjnë gjë, duhet operacion”, u shpreh qytetari.
“Jo, nuk na kanë njoftuar fare. Ne shkuam atje, bëmë atë planifikimin, lamë numrin e telefonit dhe tani po prisnim. Kaloi 2 muaj, 3 muaj, 6 muaj, 1 vit e ca, asnjë lajmërim, asgjë fare”, u shpreh qytetari.
“Një element i rëndësishëm për t’u parë është nëse koha e zgjatjes së listës së pritjes është më e gjatë sesa koha që ka kaluar tashmë e rikonstruksionit. Nëse kjo e tejkalon, do të thotë që nuk është e lidhur vetëm me kohën e rikonstruksionit, por edhe me elemente të tjera. E zëmë, nëse kemi vonesë rikonstruksioni 3 muaj dhe lista e pritjes bën sens që është shtyrë me tre muaj, por nëse është shtyrë më shumë, ka edhe elementë të tjerë”, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
Megjithatë, drejtoria e spitalit i tha “Inside Story” se ka reduktuar listën e pritjes, e cila në vitin 2022 shkonte deri në 6 vite pritje. Sipas spitalit, lista e pritjes aktualisht është reduktuar në 570 pacientë.
Trauma: Lista e pritjes për endoprotezim arriti, në fund të vitit 2022, të kishte mbi 1100 pacientë dhe koha e pritjes ishte 6 vite. Që prej fillimit të vitit 2023, buxhetimi i mjaftueshëm ka bërë që të mbulohen të gjitha urgjencat dhe të mund të kryhen gradualisht ndërhyrjet e prapambetura. Aktualisht, numri i pacientëve në pritje është përgjysmuar, 570 pacientë në listë, rezultante e daljeve nga lista pasi operohen dhe regjistrimeve të reja, dhe koha e pritjes është reduktuar në rreth 13 muaj.
Por, në listat e brendshme të siguruara nga Inside Story, është i qartë numri i radhës prej 2002 personash deri në dhjetor 2025, pa llogaritur pacientët e vitit 2026. Është e vërtetë se një pjesë e tyre e kanë marrë shërbimin, por sërish mbetet pikëpyetja se sa prej tyre e kanë marrë, si kanë ndërhyrë në radhë dhe pse emrat e tyre janë sërish në kartelë…
Disa prej pacientëve denoncuan pranë redaksisë sonë fenomenin. Për të kuptuar përmasën, ne telefonuam shumë prej personave në listë pritjeje, që konfirmonin situatën e vështirë. Ata nuk preferojnë të identifikohen pasi i tremben hakmarrjes dhe nuk janë në gjendje ekonomike t’i drejtohen shërbimit privat. Rastet dhe sfidat me të cilat përballen janë nga më të ndryshmet. Një zonjë na rrëfeu për mjekimin e gabuar për 9 vite, e më pas, kur u kuptua problematika, sërish i duhej të priste për të marrë shërbimin mjekësor.
“Po pres, akoma jo. Keni shqetësime? Kam shumë. Ku e keni ndërhyrjen? Jam rrëzuar, legenin, a s’e di si është, por duhet protezë. E kam lënë ka dy vjet, kam 10 vjet kështu se nuk e dija. Më bënin skaner, më dilnin ato sëmundjet reumatizmale, spondiloartroza. Pas 9 vitesh bëra grafi dhe dola që isha shumë keq. Dhe ndërkohë prisni akoma? Çfarë të bëjmë? Presim.
Doktori tha varet kur do të vijë proteza, mund të vazhdojë 1 vit, 2 vjet, 3 vjet. Varet në bazë të atyre që bën kërkesë shteti.
Më thanë që për të futur hekurin në gju, në gjurin e djathtë, do të presësh 4 vjet. Sa duhet të presësh për këtë? 4 vjet më kanë thënë. Është njëra që shkruan pas doktorit dhe i thashë unë, kam vajtur 3-4 herë, dhe i thashë më ka ardhur radha. Jo, tha, nuk ka ardhur. I thashë si nuk më vjen radha, unë kam dy vjet që pres për t’u bërë operim, si nuk më vjen radha? Po ja, tha, prishet aparati. I thashë, po unë nuk kam lekë”, u shpreh qytetari.
“Nëse kjo është e vërtetë që një urgjencë ortopedike e paraqitur në Traumë, për arsye të mungesës së sallave, nuk bëhet dhe kalojnë ditë apo javë, kjo pastaj është totalisht keqmenaxhim, është kriminale, sepse nuk i është dhënë shërbimi i duhur pacientit sipas përcaktimeve të ligjit për shërbimet shëndetësore dhe të Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë. Në rastet e Traumës dhe të emergjencave të menjëhershme nuk mund të ketë pritje dhe ndërhyrja është e rekomanduar të bëhet në mënyrë të menjëhershme. Nëse themi listë pritjeje te Trauma, nuk duhet të ketë”, u shpreh mjeku, Besnik Jakaj.
