Dalja e Eva Dumanit nga kampet e Sirisë i ngjan operacioneve sekrete të CIA-s, gjatë luftës së ftohtë, në nxjerrjen e bashkëpunëtorëve dhe agjentëve, nga brenda Rusisë, në kufirin me Finlandën.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se ka pasur dy faza sfiduese, si për dajën e saj  Xhetan Ndregjonit, përfshi autoritet shqiptare, deri në mbërritjen e saj të shtunën e shkuar në Shqipëri. Faza e parë është dalja e Evës nga kampi Al Hol, e më pas udhëtimi nga qyteti Idlip në Sirinë veriore, drejt Turqisë. Faza e dytë është hyrja dhe qëndrimi në Turqi, ku janë shfaqur probleme duke i rrezikuar asaj dhe disa personave të tjerë burgun.

Në kushtet kur Eva nuk kishte një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar, ajo është futur ilegalisht në territorin turk, me ndihmën e një zyrtari të inteligjencës siriane. Qeveria turke pranon hyrjen nga Siria vetëm të shtetasve turq dhe sirian.

20-vjeçares shqiptare i është komunikuar një urdhër arresti provizor për kalim të paligjshëm kufiri nga xhandarmëria turke. Në këtë moment tek shërbimi inteligjent turk MIT ka ndërhyrë duke kontaktuar autoritet e inteligjencës shqiptare.

Garancitë, përfshi informacionet e dhëna nga SHISH dhe Drejtoria e Antiterrorit, përshpejtuan deportimin e Eva Dumanit nga Turqia drejt Shqipërisë dhe më kryesorja, u mundësua mos-dërgimi i saj në qendrat e dëbimit, duke e detyruar të priste atje me javë të tëra për përfundimin e procedurave.

Ajo u mbajt nën monitorim në distancë, nga inteligjenca turke në shtëpinë e Evren Kaya me orgjinë shqiptare në qytetin Adana. Komunikimet e inteligjencës shqiptare me ato turke fillimisht ndaluan një arrestim të mundshëm të saj dhe më pas, përballjen me drejtësinë atje për veprën penale të hyrjes ilegalisht në Turqi.

Top Channel mëson se lëshimi i urdhrit të dëbimit drejt Shqipërisë u shoqërua me ndalimin e futjes në Turqi për pesë vite. Disa javë më parë, një grua nga Kosova e larguar nga kampi Al Hol, bashkë me 3 fëmijët e saj. Ajo kishte mundur të shkonte në një pikë kufitare mes Sirisë dhe Turqisë por nuk u lejua të hynte në territorin turk./ Top Channel