Ky është e-mail i dërguar KLP-së nga anëtari Erind Mërkuri, i cili propozonte ndryshimin e rregullores për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Në këtë e-mail të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Mërkuri ka kërkuar saktësimin e termit “shumica” që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK. Ai propozoi ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut.

Top Channel e raportoi këtë lajm në të njëjtën ditë që reaguan ndërkombëtarët, të cilët kërkuan një proces të drejtë dhe transparent në zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Në e-mail, Mërkuri ka kërkuar që drejtues i Prokurorisë së Posaçme të zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke futur termin “raund”, që rregullorja e vjetër nuk e ka.

“Në rast se asnjë nga kandidaturat nuk merr shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit, votimi i radhës të zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, atëherë përfshihet në votim edhe ky kandidat. Votimi do të përsëritet ndërmjet këtyre kandidatëve derisa njëri nga kandidatët të sigurojë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, shprehet zyrtarisht anëtari i KLP, Mërkuri.

Por në mbledhjen e sotme KLP nuk e ka futur fare në diskutim këtë propozim, teksa hapi garën për kreun e ri të SPAK, duke lënë në fuqi rregulloren e vjetër.

Kjo rregullore u miratua me ndryshime pas zgjedhjes së Dumanit dhe përcakton se kreu i SPAK-ut zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP-së, ndërsa kuorumi i detyrueshëm për mbledhje plenare është 7 anëtarë nga 11 gjithsej.

Top Channel