Gazeta Shqip ka siguruar ditën e sotme median e cila për herë të parë paralajmëroi për rastin e abuzimit të 16-vjeçares nga njerku i saj dhe shoku i tij, të dy punonjës së Policisë së Shtetit.

Në një postim në Facebook, një llogari e quajtur Televizioni Këlcyra ka paralajmëruar se shumë shpejt do të postohet një video e një punonjësi policie, i cili ngacmon dhe i tregon një të miture organet gjenitale.

Mendohet se kjo mund të ketë qenë një nga format e shantazhimit që është përdorur ndaj efektivëve të policisë.

Kujtojmë se 16-vjeçarja është ngacmuar seksualisht edhe nga një polic tjetër, Artur Ago 53 vjeç, koleg dhe shok i njerkut të saj, i cili gjithashtu ka abuzuar prej 3 vitesh me të.

Polici i dytë është punonjës në Komisariatin e Policisë së Tepelenës.
Autoritetet identifikuan dy personat që shantazhuan policin Artur Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar në një emision investigativ një video që ata pretendonin për marrëdhënien intime të tyre.
Ata janë Kristian Prifti 46 vjeç dhe shoku i tij Isi Pasho 27 vjeç. 46-vjeçari Prifti u arrestua në Tiranë ditën e sotme. Ky i fundit ka pasur edhe vetë lidhje intime me të miturën 16-vjeçare. 

Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, Kristian Prifti dhe Isi Pasho dyshohet se i kanë bërë presion 16-vjeçares, duke e kërcënuar dhe detyruar të zhvillonte një video-regjistrim në muajin Gusht 2025, me policin Artur Ago, ku shfaqej ky i fundit në momente intime.

Polici Ago është shpallur në kërkim për ngacmimin seksual dhe dyshohet se ndodhet në Greqi, vend ku dyshohet se u largua kur “plasi” skandali në internet.