Një tragjedi e dyfishtë ka goditur komunitetin e Nikaj-Mërturit, ku familja Qokaj është përballur me humbjen e dy anëtarëve brenda vetëm një dite.
I pari që u nda nga jeta ishte 88-vjeçari Ndue Martin Qokaj. Lajmin për vdekjen e të atit e dha i biri, Besniku, i cili një ditë më parë kishte bërë publikimin e njoftimit mortor. Askush nuk e kishte menduar se brenda 24 orëve, të njëjtët njerëz do të duhej të njoftonin edhe vdekjen e tij, duke e kthyer dhimbjen e familjes Qokaj në një tragjedi të dyfishtë që ka tronditur mbarë komunitetin.
Burime ekskluzive i kanë thënë Gazetës Shqip që dy të ndjerët ishin nga Curraj i Epërm në Tropojë ndërkohë që jetonin prej vitesh në Lushnje.
Familja Qokaj e përbërë nga 6 djemë e ka përjetuar keq ndarjen nga jeta të kryefamiljarit, ndërkohë që Besnik Qokaj ishte djali i tretë i familjes, raporton Gazeta Shqip.
Pasi kishin kryer ritet për trupin e pajetë të babait të tyre 88-vjeçar, Besniku ishte shtrirë për të pushuar, e pikërisht aty i kishte pushuar dhe zemra.
Sipas Gazetës Shqip, ajo se çfarë kanë thënë mjekët për ekspertizën mjekoligjore të Besnikut, ishte që zemra e tij ishte copëtuar e se rrallë ishin ndeshur me raste të tilla.
Teksa gazetarja Semiljana Azizi mëson se trupi i pajetë i 88-vjeçarit ishte planifikuar të varrosej në Curraj të Epërm e të transportohej me helikopter, sepse vetë i ndjeri e kishte lënë amanet, tashmë pas tragjedisë së dyfishtë nuk dihet ende se ku do të kryhet ceremonia motrore e përcjellja për në banesën e fundit.
Brenda pak orësh, dy prej shtyllave të shtëpisë u shuan, duke e lënë të mbuluar me zi derën e familjes Qokaj.
Në rrjetet sociale, administratorët e faqeve lokale kanë publikuar edhe momentin e fundit të komunikimit me Besnik Qokajn, i cili vetëm një ditë më parë u kishte kërkuar ndihmë për të shpërndarë lajmin e ndarjes nga jeta të babait të tij.
