Ne kemi mësuar se mbyllja e sallave në bllok mund të ketë edhe një tjetër faktor. Përveç rikonstruksionit, mendohet se situata kaotike lidhet edhe me një tjetër problematikë alarmante të konstatuar në 2 prej sallave të mbyllura dhe në reanimacion. Stafi ka zbuluar dy mikrobe të rrezikshme në plagët e pacientëve dhe një tjetër mikrob në reanimacion. Infeksionet e shkaktuara prej këtyre mikrobeve ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe stafit në tërësi.
‘Ne shikojmë një neglizhencë shumë të madhe, duke mos e menduar dhe duke mos i paraprirë kësaj të keqeje nga ana e institucioneve’, u shpreh Eglantina Bardhi, dr., Together for Life.
Në dukje, salla e operacionit dhe reanimacioni duhet të jenë hapësirat më të sigurta të një spitali, por kur kontrolli i infeksioneve dështon, ato kthehen në burimin më të rrezikshëm për jetën e pacientit.
“Inside Story” iu drejtua me një kërkesë të dytë për informacion Spitalit Universitar të Traumës për ta pyetur nëse gjatë kontrolleve rutinë ka konstatuar baktere në sallat e operacionit apo në reanimacion, por deri në transmetimin e këtij dokumentari nuk morëm përgjigje. Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Institutit të Shëndetit Publik lidhur me këto informacione nga burime brenda spitalit. Në përgjigjen zyrtare rezulton se në Spitalin e Traumës inspektimi i fundit është kryer në vitin 2024.
‘Monitorimet më të fundit nga ISHP, për disa prej shërbimeve, janë kryer edhe në fillim të vitit 2026, ndërkohë që për shërbimet e tjera procesi është në vijim. Gjithashtu nga ISHP janë kryer vlerësime edhe në spitalet e maternitetit, respektivisht: Spitali “Shefqet Ndroqi”, vlerësimi i fundit në vitin 2025; Spitali Universitar i Traumës, vlerësimi i fundit në vitin 2024; materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, vlerësimi i fundit në vitin 2024; dhe materniteti “Koço Gliozheni”, vlerësimi i fundit në vitin 2022.’
ISHP thekson se vetë spitalet kanë kapacitetet e tyre laboratorike dhe, nëpërmjet njësisë së kontrollit të infeksionit spitalor, kryejnë monitorime sistematike mbi prezencën mikrobike në mjedise spitalore.
Tre nga bakteret më problematike që, sipas burimeve, janë konstatuar në Spitalin e Traumës janë ‘Acinetobacter baumannii’, ‘Staphylococcus aureus’ dhe ‘Pseudomonas aeruginosa’. Të tre këto baktere janë gjetur edhe nga ISHP gjatë inspektimeve, por në përgjigjen e dhënë për “Inside Story” institucioni nuk e specifikon se në cilat spitale janë konstatuar.
Nga kryerja e ekzaminimeve mikrobiologjike rezulton se janë identifikuar, në raste të veçanta dhe aspak në mënyrë përgjithësuese, mikroorganizma si: Escherichia coli, Staphylococcus aureus, Pseudomonas aeruginosa dhe Acinetobacter baumannii.
Megjithatë, ky është një informacion që kërkon përgjigje zyrtare konfirmuese nga Spitali i Traumës apo institucionet e tjera të linjës, si dhe një sqarim mbi masat konkrete që janë marrë për izolimin e rrezikut.
Por, cilat janë pasojat që shkaktojnë këto baktere të gjetura nga ISHP në rrjetin spitalor publik?
Këto nuk janë infeksione të zakonshme; shpesh janë shumë rezistente ndaj antibiotikëve dhe lidhen direkt me infeksionet spitalore. Pasojat janë të ndryshme. Nëse infektohet plaga kirurgjikale, kjo bën që plaga të mos mbyllet, të përkeqësohet dhe të ketë nevojë për një ndërhyrje tjetër. Infeksionet më të thella përfshijnë muskujt, indet dhe deri në kockë; nëse kalon në helmim të gjakut, kërcënon seriozisht jetën e pacientit. Kur flasim për vendosjen e protezave, këto baktere mund të çojnë në dështimin e plotë të ndërhyrjes kirurgjikale.
‘Në këtë rast ju më thoni 3 baktere, ndër më të rëndomtat që i kemi ne në Shqipëri… këto të treja tregojnë edhe një shkallë më të ulët dezinfektimi të sallave dhe një mungesë. Shohim një performancë në çdo hallkë që e kemi më të ulët’, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti.
Në përgjigje të interesit tonë, Spitali i Traumës theksoi kryerjen e sterilizimeve rutinë, por as pohoi dhe as mohoi gjetjet për zbulimin e baktereve në salla.
Trauma: Sallat sterilizohen pas çdo ndërhyrjeje dhe Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore bën monitorimin e tyre, me verifikim të zbatimit të protokolleve në vazhdimësi dhe marrje mostrash periodikisht.
‘Staphylococcus aureus’ është ndër shkaktarët kryesorë të infeksioneve të plagëve kirurgjikale, sidomos në formën rezistente. Ndërsa ‘Acinetobacter baumannii’ është veçanërisht i rrezikshëm për shkak të rezistencës së lartë ndaj shumë antibiotikëve.
‘Kur flasim për salla jo të plotësuara sipas standardeve dhe kushteve dhe për infeksionet spitalore, ne nuk kemi, fatkeqësisht, një studim të mirë për infeksionet spitalore, për numrin e njerëzve që marrin infeksione spitalore; ato janë një problem madhor’, u shpreh mjeku Besnik Jakaj.
Në reanimacion, pacientët e rrezikuar nga bakteret janë ata të cilët ndodhen në intubim, me kateterë apo me sistem imunitar të dobët. Në këtë mjedis, ‘Pseudomonas aeruginosa’ bëhet një kërcënim serioz: pneumoni e lidhur me ventilatorin, e cila përbën një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë; infeksione të gjakut; infeksione urinare nga kateterët; përkeqësim i gjendjes së përgjithshme dhe zgjatje e qëndrimit në terapi intensive. Ky bakter është i njohur për mbijetesën në ambiente spitalore dhe rezistencën ndaj trajtimeve standarde./TCH
