Komisioni Evropian do të paraqesë të Mërkurën për herë të parë një udhërrëfyes për përfundimin e negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Ky udhërrëfyes është ndërtuar bazuar në dhjetë raportet e progresit për këto vende.
Udhërrëfyesi tashmë është gati por nën embargo për mos tu publikuar dhe disponohet nga përfaqësitë e Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën në Bruksel.
Një burim diplomatik në Bruksel i cili e ka parë udhërrëfyesin ndau me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, disa detaje se çfarë parashikohet për Shqipërinë.
Komisioni Europian pritet të Mërkurën të thotë se Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm në negociatat e anëtarësimit.
Në pak më shumë se një vit janë hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave dhe janë përmbushur objektivat e ndërmjetëm për Grup-Kapitullin 1.
Sipas draftit të udhërrëfyesit do të kërkohet.
“Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave, duke i kushtuar vëmendje si shpejtësisë, ashtu edhe cilësisë së tyre. Megjithatë, njësoj si në vendet e tjera të rajonit, polarizimi politik, dobësitë në kontrollin parlamentar dhe përdorimi i tepruar i procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve vazhdojnë të ndikojnë negativisht në cilësinë e qeverisjes demokratike”.
Sipas udhërrëfyesit Shqipëria dhe Moldavia mund të arrijnë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, ndërsa Ukraina mund të vijë pas tyre deri në fund të vitit 2029.
Kjo qasje e Komisionit Europian është në të njëjtën gjatësi vale me deklarimet e kryeministri Edi Rama i cili ka shprehur ambicien për të shkuar drejt fundit 2027-tës me negociata të përfunduara për anëtarësimin.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, do t’i prezantojë të mërkurën udhërrëfyesit nga ku do të theksojë se “Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti.
“Përparimi i jashtëzakonshëm” i Malit të Zi tregon se zgjerimi vazhdon të jetë një objektiv konkret dhe i arritshëm”.
Ky pritet të jetë një prej konkluzioneve të Marta Kos.//TCH
