Hetimet
Policia dhe mjekësia ligjore japin konkluzionet paraprake mbi shkaqet e aksidentit
Vdekja e 55-vjeçarit erdhi nga politrauma pas goditjeve të forta që ka pësuar gjatë rrëzimit të autobusit
Bledi Gilaj
Shoferi i autobusit nuk ka pasur probleme shëndetësore në momentin e aksidentit, kështu që dyshimet rriten më shumë se ngjarja ndodhi për shkaqe të tjera, ku nuk përjashtohet shpejtësia ose humbja e vëmendjes. Gjithashtu, mjeti ka qenë i rregullt dhe rruga nuk ka pasur probleme. Këto janë konkluzionet paraprake të grupit hetimor, që ka dërguar dhjetëra ekspertë për të dhënë konkluzionet mbi këtë ngjarje të rëndë. Ekspertët rrugorë, por edhe mjekësia ligjore kanë nxjerrë konkluzionet paraprake mbi këtë aksident të rëndë.
Ekspertët rrugorë
Sipas të dhënave nga ekspertët në vendin e ngjarjes, aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalistikën e duhur paralajmëruese. Po kështu, kjo rrugë ishte e pajisur edhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës. Gjithashtu, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje. Po ashtu, nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014, ndërkohë që mjeti ishte i kolauduar në fund të muajit paraardhës. Këto kanë hedhur poshtë dyshimet e policisë se aksidenti mund të ketë ardhur për shkak të rrugës, apo të defektit në mjet.
Mjekësia Ligjore
Nga ana tjetër, nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore, për shkaqet e këtij aksidenti, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka qenë i alkoolizuar, si dhe nuk ka pësuar atak kardiak. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, vdekja e 55-vjeçarit ka ardhur si pasojë politraumës, pra goditjeve të forta që ka pësuar gjatë rrëzimit të automjetit në greminë. Këto rezultate megjithëse paraprake, përjashtojnë mundësinë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga humbja e kontrollit të mjetit për shkak se shoferi ishte i alkoolizuar, apo të atakut kardiak, duke çuar kështu në dyshimet për një tjetër pistë, por edhe mjeti dukej se ishte brenda normave standarde. Ndërkaq, rezultatet përfundimtare pritet të dalin pas një jave, pas kryerjes së analizave toksikologjike. Ndërkohë, nga të dhënat paraprake të ekspertëve mjekoligjorë, rezulton se nga 11 vajzat e aksidentuara, 10 prej viktimave kanë humbur jetën gjithashtu si pasojë e politraumës, ndërsa njëra prej tyre për shkak të asfiksimit. Ekspertiza mjekoligjore është kryer nga katër ekspertë në morgun e Vlorës, ndërsa ekspertiza për dy viktimat e tjera, të cilat humbën jetën në Spitalin Ushtarak, është kryer në Tiranë.
Vazhdojnë hetimet
Nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e saj. Autobusi i përkiste shoqërisë “Llixha”, kështu që në pyetje do merren edhe përfaqësuesit e shoqërisë. Ndërsa dje, që në orët e para të mëngjesit ekspertë të policisë rrugore, ekspertë të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë kanë mbërritur në vendin e tragjedisë dhe kanë filluar menjëherë punën për të bërë të mundur zbardhjen e shkakut që shkaktoi këtë tragjedi. Ata kanë këqyrur të gjithë zonën, ku kanë bërë skicat e aksidentit, si dhe foto të ndryshme të vendit të ngjarjes që nga fërkimi i parë që autobusi ka pasur në trasenë e krahut të djathtë të rrugës kur shkon për Himarë, e deri te përplasja fatale në trasenë ndarëse të rrugës me greminën, si dhe më poshtë në vendin ku ra autobusi. Autobusi i tragjedisë do të qëndrojë poshtë në përrua deri në momentet kur ekspertiza të ketë mbaruar punën e saj, si dhe të gjitha sendet personale të studentëve janë marrë me procesverbale dhe janë lënë në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Forcat e RENEA-s dhe ato të FNSH së Fierit kanë krehur në një distancë rreth 200 metra përreth vendit ku qëndron autobusi për të bërë të mundur të gjithë këqyrjen e vendit të ngjarjes, me qëllim për të parë nëse ka viktima të tjera ose për të bërë të mundur mbledhjen e sendeve personale, të cilat kanë fluturuar së bashku me autobusin.
Rrëfimet
Familjarët: Shoferi ka pësuar dy herë atak
Familjarët e Pëllumb Çelës, shoferi i autobusit që solli tragjedinë e dy ditëve më parë, janë shprehur se i afërmi i tyre kishte pësuar dy herë më parë atak në zemër, por që kishte shpëtuar. Këto dëshmi kanë sjellë dyshimet e policisë se ai mund të kishte pësuar atak, por që nuk janë vërtetuar nga ekspertiza mjekoligjore. Sipas familjarëve mësohet se drejtuesi i mjetit kishte kaluar më parë dy goditje në zemër dhe vuante edhe nga dhimbjet e stomakut. “Mbase mund të jetë si shkak kryesor ndonjë goditje e tretë si parainfrakt e drejtuesit të mjetit, të cilit i ka humbur kontrolli në pak sekonda, për të përfunduar në humnerë”, janë shprehur familjarët e viktimës. Sidoqoftë, krahas ngushëllimeve nga qindra qytetarë elbasanas, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet, ku do të merren në pyetje edhe persona të tjerë për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje të rëndë, që u mori jetën 13 vetave dhe plagosi mbi 20 të tjerë.