Finalizohet operacioni policor “Porosia”, 7 të arrestuar për vendosje eksplozivi
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Porosia”, duke zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit 2026 në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në një automjet, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Si rezultat i hetimeve, janë vënë në pranga 7 persona, të dyshuar si të përfshirë në ngjarje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Gjithashtu është proceduar edhe një tjetër person, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Fushë-Krujës dhe dyshohet se ka porositur vendosjen e eksplozivit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar biçikleta e përdorur nga autori për të kryer atentatin, rrobat e përdorura gjatë ngjarjes, disa automjete me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe telefonat celularë të tyre.
Sipas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 6, personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive është një 32-vjeçar. Ai dyshohet se është ndihmuar nga tre persona të tjerë, të cilët i kanë siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit, biçikletën për lëvizje, banesën ku është strehuar si dhe lëndën eksplozive.
Ndërkohë, tre persona të tjerë akuzohen për përkrahje të autorit të krimit, pasi dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e vendosjes së eksplozivit në datën 10 mars.
Policia dyshon se porosia për vendosjen e lëndës plasëse është dhënë nga një 33-vjeçar, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Fushë-Krujë dhe është i akuzuar për vepra të rënda kriminale.
