Tiranë
Shpërthen në parking automjeti i Artur Hykës së Komisariatit nr.1
Hidhet në erë automjeti i shefit të krimeve të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, Artur Hyka. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku persona ende të paidentifikuar kanë vënë një sasi eksplozivi poshtë automjetit të tij, të cilin Hyka e kishte parkuar pranë banesës ku jeton aktualisht me familjen. Pista e hetimeve është fokusuar në konfliktet që Hyka ka pasur në ushtrimin e detyrës.
Ngjarja
Automjeti tip “Benz” në pronësi të Artur Hykës, është hedhur në erë, si pasojë e vendosjes së një sasie të konsiderueshme eksplozivi në të. Burime nga policia bëjnë me dije se lënda plasëse është ndezur me fitil përcjellës. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe askush nuk ka qenë në gjendje që të identifikojë autorët e krimit. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por prej zhurmës së madhe, banorët e zonës së Freskut janë alarmuar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor i cili ka nisur zbardhjen e krimit. Ekspertët kanë dalë në konkluzionin se sasia e lëndës eksplozive ishte e vogël dhe ndezja është kryer me fitil përcjellës. Kjo lë të kuptohet se autorët e krimit kanë pasur si qëllim që të kërcënojnë kreun e parandalimit të krimeve të Komisariatit Nr.1 në Tiranë. Grupi hetimor ka marrë në pyetje Hykën, i cili ka treguar për konfliktet që ka pasur gjatë gjithë karrierës së tij në polici. Nga të dhënat paraprake thuhet se Artur Hyka ka disa konflikte të mbartura gjatë kohës që punonte në të njëjtin pozicion në Komisariatin Nr. 5, Kamzë. Gjithsesi këto janë të dhënat paraprake, pasi vetë Hyka nuk është në gjendje që të drejtojë gishtin te ndonjë person i dyshuar, për vetë punën që ai kryen. Fakti që shefi i krimeve të Komisariatit Nr. 1 përballet me eksponentë kriminalë, e vë atë në rrezik gjatë gjithë kohës. Ngjarja ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit, e cila është vënë në lëvizje të zbardhjes së krimit, i cili ka ngritur dorë mbi një tjetër punonjës policie. Vetë shefi i krimeve të Komisariatit Nr. 1 është shprehur se nuk e ka dijeni për personat që mund t’i kenë vënë eksplozivin. “Jam mirë. Ngjarja ka ndodhur në mëngjes, kur automjeti ka qenë i parkuar poshtë shtëpisë. Nuk kam dijeni se kush mund ta ketë bërë”, është shprehur Hyka për gazetën “Shqip”.
Precedenti
Ky është rasti i dytë brenda pak javëve, ku kriminelët godasin uniformat e policisë. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën banesës së shefit të Komisariatit Nr. 3, Alfred Numani. Autorët e krimit në pallatin ku jeton Numani kishin lyer me benzinë murin e korridorit të jashtëm. Flakët kanë shkaktuar dëme të fasadës dhe djegien e derës së apartamenti të të kreut të Komisariatit Nr. 3, gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në SHBA. Sipas policisë, zjarri është vendosur mes dy apartamenteve, të fqinjit të Numanit dhe apartamentit të këtij të fundit. Ngjarja ende nuk është zbardhur. S.Muça