Të ndodhur në një situatë të vështirë tashmë prej vitesh për shkak të kursit të këmbimit, shkurtimit të kontratave dhe humbjes së punonjësve, eksportuesit kanë kërkuar këtë të mërkurë ndihmë në komisionin e ekonomisë.

Kurs këmbimi 101 lekë përkundrejt euros, ngritje të TAP-it mbi 50 mijë lekë si dhe zerim taksash për lëndët e para janë nevojat e sektorit.

“Ne propozojmë të krijojmë një kurs këmbimi nga 101 në 105 lekë. Referuar nevojës për një ekuilibër operacional. Diferenca midis kursit të tregut dhe këtij nivelit kompensohet vetëm mbi eksportet e realizuara të regjistruara në doganë dhe janë të verifikueshme”, tha Donika Mici.

“Aktualisht këto taksa variojnë nga 8% deri në 15%, duke e bërë produktin vendas rreth 25% më të shtrenjtë krahasuar me vendet e rajonit dhe ato europiane. Ndërsa në Kosovë imputet tatohen me 0%. Lënda e parë është vendimtare në produkt, dhe ne jemi të pambrojtur krahasuar me vendet e rajonit. Propozoj që taksat për imputet të zërohen, të hiqen”, u shpreh Florian Zekja.

“Për të zbutur efektin rritja e pagave mendojmë duhet të rishikohet baza minimale e tatimit për të ardhurat personale të jetë 50 mijë lekë. Një pagë e patatueshme dhe propozojmë 65 mijë lekë të fillojë tatimi”, u shpreh Saimir Bidaj.

Këta faktor sipas drejtuesit të shoqatës kanë sjellë ndër vite humbje të mëdha për sektorin.

“Manifaktura 65 mijë persona në të gjithë Shqipërinë dhe qarkullon 1 miliardë euro faturim në vit. Në 2025 humbje 12 mijë vende pune. Si pasojë e këmbimit valuator dhe rritjes së kostos së punës dhe tkurrja e kontratave po e çojnë sektorin në kolaps të vërtet me një impakt social në ekonomi”, u shpreh Edvin Prençe.

Zëvendësministri i ekonomisë i pranishëm në komision Enkelejd Musabelliu iu përgjigj kërkesave të sektorit për një adresim të tyre në ministritë përkatëse.

“Jemi në diskutime me ministritë dhe për politikat fiskale ende nuk është marrë vendim”, tha ai.

Një ulje e mëtejshme e kursit të këmbimit sipas eksportuesve do të dërgoj sektorin në një kolaps total ndërsa kërkojnë nga qeveria të merren masat e duhura.