Precedentët
Kleves Muja, ish-kryekomunari i Rrethinave në Shkodër, del nga koma
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë dhjetëra ankesa nga drejtësia italiane për mungesën e ekstradimeve të disa shtetasve shqiptarë, të arrestuar në vendin tonë dhe të akuzuar e dënuar në vendin fqinj për vepra të rënda penale. Janë dhjetëra raste, që kanë rënë në fokusin e italianëve, për të cilët disa gjykata në Shqipëri nuk kanë pranuar kërkesën për ekstradim të ardhur nga Italia, ndërsa lista shtohet nga dita në ditë. Prokuroria shqiptare ka analizuar rastet në fjalë, nga ku ka rezultuar se të gjithë personat që kanë fituar lirinë janë biznesmenë dhe kanë lidhje politike.
Ekstradim i munguar është edhe rasti i Kleves Mujës, ish-kryetari i Komunës Rrethinat në Shkodër. Ai u arrestua pasi kërkohej në Italia, ku akuzohej për trafik të lëndëve narkotike. Pas prangosjes, u zhvendos në Burgun e Shënkollit në Lezhë, ku dhe u sulmua me thikë. Gjykata e Shkodrës refuzoi kërkesën e Italisë, pasi Muja ishte në koma. Sipas burimeve nga Prokuroria e Lezhës, Kleves Muja ka dalë nga koma, por sërish shëndeti është i rënduar.
Një nga rastet më flagrante të mungesës së ekstradimit të të kërkuarve italianë ka ndodhur në Vlorë. Katër persona u arrestuan me urdhër të drejtësisë italiane, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Akuza kërkoi në gjykatë ekstradimin e të katërve. Gjykata vendosi të ekstradojë tre persona, ndërsa të katërtin që njihej si biznesmen, nuk e ekstradoi.
Drejtësia shqiptare vazhdoi të befasonte homologet e saj ndërkombëtare. Pas skandaleve të shumta ku një dënim prej 30 vitesh burg në Itali konvertohet në vendin tonë me 6 vjet, një tjetër rast është shënuar në Vlorë. Gjykata ka vendosur të mos ekstradojë një të kërkuar, megjithëse ai ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg. Ilir H. u arrestua disa muaj më parë në qytetin bregdetar me akuzat e “pengmarrjes”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “armëmbajtje pa leje”, pasi kërkohej nga shteti italian. Ai u arrestua në operacionin e koduar “Sipërmarrësi”. Nisur dhe nga emri i operacionit, prokuroria dyshon se ndërhyrjet në gjyqësor mund ta kenë liruar.
Drejtësia shqiptare vijon të jetë e brishtë, kur përballë saj ulen persona me rrezikshmëri të lartë. I tillë ka qenë edhe rasti i Klevis Gjahtarit, i arrestuar në qytetin e Vlorës. Ai ishte dënuar në Itali me 27 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ndërsa nuk mungojnë as krimet e tij në qytetin bregdetar, madje ka kërcënuar edhe gjyqtarët. Raste të lirimit kanë vijuar në Kukës, ku u lirua Asjan Buçeza, i kërkuar në Milano për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë, Gjykata e Fierit ka refuzuar kërkesën italiane për ekstradimin e Fatmir Kajollit. Drejtësia rrëzoi dënimin me 15 vite burg të biznesmenit fierak Arjan Kokvelaj, i arrestuar nga policia pas urdhër-arrestit ndërkombëtar të Interpol Romës. s.ç