Policia e Shtetit konfirmoi sot (20 mars) ekstradimin drejt Italisë të 2 kushërinjve nga Dibra, të dënuar në Napoli me mbi 14 vite burgim secili, për një vrasje të kryer në Caserta në vitin 1999, pas konflikteve mes grupeve rivale për territor.

Burime zyrtare bënë me dije se Interpol Tirana i dorëzoi në pranga Romës nëpërmjet një fluturimi nga Rinasi drejt Fiumicinos, të shumëkërkuarit Andon allias Afrim Sina dhe Niko allias Faslli Sina, 52 dhe 49 vjeç, të dy me nga dy identitete. Ata ishin në listën e 100 personave më të kërkuar të Italisë, ndërsa u arrestuan vjet në Dibër, gjatë një aksioni në kushte të vështira terreni e moti.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Në përfundim të procedurave për ekstradim, ditën e sotme, nga Interpol Tirana, u ekstraduan drejt Italisë shtetasit: -Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç; -Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, të dy banues në fshatin Rreth-Kalë, Dibër.

Këta shtetas janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Napolit, në Itali, në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.

Në komunën Gricignano d’Aversa, më datë 22.09.1999, kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B. C. dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F. S., për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme”.