Ekstradimi nga Londra drejt vendit tonë shtetasi shqiptar Gjergj Cupi (Çupi), 48 vjeç, lindur dhe banues në Kaçinar të Mirditës. Gjykata e Mirditës, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 25 vjet burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, “Vrasje me paramendim mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, në mars të vitit 1999
Historia e vrasjeve daton që në vitin 1992 dhe lidhet me përplasjen e dy familjeve Çupi e Ndreca në Kaçinar të Mirditës për motive hakmarrjeje.
Fillimisht vritet vëllai i Gjergj Çupit, Petrit Çupi. Asokohe, i pandehuri Mirash Ndreca u dënua me 22 vite burgim dhe vuajti dënimin deri në momentin që burgjet u hapën në vitin 1997.
Mirash Ndreca u arratis, ndërsa Gjergj Çupi duke përfituar nga situata kur popullsia u armatos nga hapja e depove të armëve, mori një armë dhe më datë 27. 07. 1997 ka kryer vrasjen me paramendim të Mirash Ndrecës në zonën e quajtur “Karburanti i Vjetër” në qytetin e Rrëshenit. Si pasojë e plumbave mbeti viktimë edhe shtetasja Donika Kadeli, ndërsa u plagosën Prend Perkeqi dhe Frrok Perkeqi.
Gjergj Çupi u shpreh se mori gjakun e vëllait të tij dhe u dënua për vrasjen me paramendim të Mirash Ndrecës dhe Donika Kadelit si dhe vrasje e mbetur në tentativë për Prend Perkeqin dhe Frrok Perkeqin. Autoritetet britanike e arrestuan Çupin në vitin 2005, ndërsa tanimë kanë vendosur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
3 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)