Qerim e Zoge Ahmetaj, 77 dhe 69 vjeç, nisen drejt Amerikës, u arrestuan në Shkodër


Qerim e Zoge Ahmetaj, 77 dhe 69 vjeç janë ekstraduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi akuzohen për mashtrime bankare me një vlerë prej 600 mijë USD. Çifti jetonte në një vilë luksoze në Koplik, ndërsa u arrestuan disa javë më parë nga policia lokale pas një urdhër arresti nga Amerika. Pas sjelljes së dokumentacionit, Gjykata e Shkodrës dha aprovimin për ekstradimin e çiftit Ahmetaj, pavarësisht moshës, ndërsa dy ditë më parë këta persona u janë dorëzuar autoriteteve amerikane të drejtësisë në Aeroportin e Rinasit. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat saktësojnë se hetimet në Amerikë për Qerim dhe Zoge Ahmetaj vazhdojnë. Mësohet se çifti udhëtonte herë pas here mes Clelveland, Ohio dhe Koplikut, janë nën akuzë së bashku me të paktën 16 persona të tjerë për mashtrim me kreditë dhe pastrim parash, në një vlerë 70 milionë-dollarëshe, gjë që ka shkaktuar falimentimin e një banke në këtë qytet të SHBA. Ai që i ka futur në valle dy të moshuarit dyshohet të jetë dhëndëri i tyre, Arben Alia, gjithashtu i arrestuar në Ohio për të njëjtat akuza.

Akuza që rëndon ndaj çifti nga Kopliku është një katastrofë bankare në Cleveland, që ka çuar në falimentimin e një banke 70-vjeçare që ishte ndërtuar si fond kredish për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve kroatë në këtë qytet. Sipas mediave amerikane, banka “St. Paul Croatian Federal Credit Union”, falimentoi ndërsa dëmi i shkaktuar nga mashtrimi është rreth 170 milionë dollarë, nga të cilat 70 milionë janë zhdukur në këtë histori kredish shumë të këqija, të cilat jepeshin pas ryshfeteve që merrnin drejtuesit e bankës dhe ata nën akuzë për këtë mashtrim. Veç krerëve të bankës, një maqedonasi të dyshuar si të lidhur me krimin e organizuar, nën akuzë për mashtrim dhe pastrim parash lidhur me këtë bankë, janë edhe 7 shqiptarë. Personazhi kryesor në këtë histori është një i identifikuar si Arben Alia, 34 vjeç. Sipas akuzës, Alia kishte futur në këtë skemë shokë të tij dhe bashkëshortët Ahmetaj, të cilët e kishin dhëndër. Prokurorët amerikanë thonë se me anë të ryshfetit ai ka marrë rreth 4.5 milionë dollarë kredi, të cilën e ka përdorur për të luajtur kumar, ndërsa një pjesë e ka investuar në një restorant në Cleveland. Pesë persona janë akuzuar si bashkëpunëtorë apo të përfshirë nga Aliaj në këtë histori. Ilir Marku, 34 vjeç; Vaso Shani, 36 vjeç; Alban Sulkaj, 35 vjeç;  Zoge Ahmetaj, 68 vjeç; Qerim Ahmetaj, 77 vjeç. Ndërkohë, një shqiptar i 7-të është përfshirë në histori, por ndiqet më vete. Skënder Demiri, 36 vjeç, është nën akuzë, sepse me të njëjtën mënyrë ka marrë një kredi prej 1.5 milionë dollarësh, gjasme për një investim, por që një pjesë i ka transferuar në banka të ndryshme në Europë. Sipas prokurorisë, Anthony Raguz, atëherë një nga drejtuesit e bankës, është edhe njeriu që ka ndihmuar grupin të përfitojë nga kreditë e rreme.