Ardit Gjokrosa është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi akuzohet për disa vepra penale, mes tyre sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Hamza Terziu.
Sipas akuzave, Gjokrosa dyshohet se është përfshirë në këtë çështje në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Për të rëndojnë akuzat për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal.
Gjithashtu, ai akuzohet për “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, sipas nenit 333/a, paragrafi 2, si dhe për “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, sipas nenit 334, pika 1, të Kodit Penal.
Çështja ndaj Gjokrosës do të vijojë në rrugë ligjore për akuzat e ngritura ndaj tij. Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, ai prezumohet i pafajshëm.
