Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme pranë një hoteli në kryeqytet, ku një 34-vjeçar është vrarë me armë zjarri në rrethana që ngjajnë me një atentat të mirëorganizuar.
Viktima është identifikuar si Kristian Kola. Mësohet se ai kishte dalë nga një hotel në zonën ku ishte takuar me një mik pak minuta më parë, kur u qëllua disa herë nga një person ende i paidentifikuar.
Sipas burimeve nga policia, autori i dyshuar ka qenë pasagjer në një motor të zi që ishte ndaluar pranë vendit të ngjarjes. Ai ka hapur zjarr menjëherë sapo Kola ka dalë nga hoteli, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë, miku i viktimës, i cili ndodhej pranë tij, ka shpëtuar pa lëndime.
Hetimet paraprake tregojnë se autori mund të jetë një vrasës me pagesë, pasi pavarësisht se zona ka qenë mjaft e frekuentuar në atë moment dhe viktima shoqërohej nga një person tjetër, nuk ka pasur dëme të tjera apo të plagosur.
Policia po heton pistën e një bashkëpunëtori të mundshëm, i cili mund të ketë ndihmuar autorët me informacion për lëvizjet e Kolës. Aktualisht janë marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në zonë gjatë kohës së atentatit.
Ndërkohë, grupi hetimor ka rindërtuar pjesën më të madhe të dinamikës së krimit, por ende nuk ka një motiv zyrtar. Kola punonte në sektorin e ndërtimit, së bashku me babanë e tij, ku administronin një kompani ndërtimi private.