Policia e Shtetit ka marrë në pyetje 20 persona, përfshirë dëshmitarë dhe individë që mund të kenë dijeni për rrethanat e vrasjes së Alfred Dedjas dhe vendndodhjen e Julian Gjoshit.

Mes të pyeturve është edhe personi që ishte ulur në tavolinë me Gjoshin pak para ngjarjes, i cili ka përshkruar dinamikën por ka mohuar njohuritë për konflikte mes tyre. Familjarët e Dedjas dhe Gjoshit gjithashtu kanë mohuar të kenë dijeni për ndonjë mosmarrëveshje midis palëve, duke lënë motivin e krimit të paqartë. Ngjarja ndodhi në një lokal në Ndroq, ku Alfred Dedja, 50 vjeç, ishte ulur për kafe, kur Julian Gjoshi hyri në lokal.

Dedja u ngrit për ta përqafuar, por Gjoshi e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Dedja dhe Gjoshi kishin një histori të gjatë njohjeje dhe bashkëpunimi. Dedja jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë dhe kishte punuar si menaxher në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Julian Gjoshit.

Ky kompleks është i njohur për përfshirjen në pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës në vitin 2020. Dedja dhe Gjoshi kishin punuar gjithashtu së bashku në fushën e lojërave të fatit, veçanërisht në biznesin e lotove, por ende nuk dihet se çfarë ka prishur marrëdhëniet e tyre.

Policia po heton për të zbardhur motivet dhe lidhjet mes viktimës dhe autorit, ndërkohë që Gjoshi është ende në arrati dhe kërkimet për lokalizimin e tij vazhdojnë.