Zbardhen detaje tronditëse për vrasjen e 47-vjeçarit Artur Bashimi, i cili u ekzekutua në mes të ditës në qendër të Athinës. Hetimet e autoriteteve greke kanë zbuluar se vrasja ishte një atentat me pagesë dhe autori, një 27-vjeçar grek, u ndalua pas një hetimi të thellë të mbështetur në survejime dhe gjurmim financiar.
Sipas dosjes hetimore, i riu grek kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash menjëherë pas krimit, duke ngritur dyshime të forta për përfshirje në vrasje me pagesë. E ëma e tij kishte dhënë një dëshmi të rëndësishme, duke u shprehur se ndryshimi i papritur financiar i të birit e kishte shqetësuar. “Që kur more paratë, nuk më ke qerasur asnjë vakt,” kishte deklaruar ajo përpara hetuesve.
Pamjet e kamerave treguan se autori kishte ndjekur viktimën me motor blu në zonën ku ndodhej një kafene e njohur. Pas disa kalimesh përpara lokalit, ai e qëlloi Bashimin sapo ky i fundit u largua, por arma u bllokua. Autori u largua menjëherë drejt zonës bregdetare të Alimos, ku fshehu mjetin dhe u kthye në shtëpi me taksi.
Një dëshmi kyçe u dha nga një grua që e njihte autorin dhe deklaroi se ai i kishte kërkuar ta linte motorin e parkuar pranë ndërtesës së saj që në qershor. Mjeti u zhduk më 20 gusht, dy ditë pas vrasjes.
Artur Bashimi, i liruar nga burgu në Hania më 1 prill, ishte një emër i njohur për autoritetet greke dhe shqiptare. Ai ishte dënuar më parë për pjesëmarrje në organizata kriminale, grabitje dhe pastrim parash. Në vitin 2022, kishte vuajtur dënim në burgun e Malandrinos.
Burime pranë hetimit zbulojnë se pak ditë para vrasjes, Bashimi kishte paralajmëruar një mik të tij për një incident ku ishte përfshirë vëllai i tij, Marsel Bashimi, i dënuar dhe aktualisht në burgun e Trikallas. Viktima kishte shprehur shqetësim për sigurinë e tij, duke theksuar se mund të ishte objektiv për shkak të përfshirjes së vëllait në një konflikt të brendshëm në botën e krimit.
Marsel Bashimi, alias Marsel Shkurtaj apo Gozhita, 38 vjeç, është një person me një histori të gjatë kriminale në Greqi dhe Shqipëri. Ai është arrestuar për herë të parë në Greqi në vitin 2007 dhe ka qenë i përfshirë në disa raste të rënda kriminale, duke përfshirë grabitje, vjedhje, përdorim armësh dhe falsifikim dokumentesh.
Në vitin 2022, Marsel Bashimi u arrestua në Greqi bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin për një ngjarje të përgjakshme në Vuola. Sipas policisë greke, ky grup tentoi të zgjidhte një konflikt financiar me dy bashkëkombas të tjerë, por përplasja përfundoi në një përleshje të dhunshme me përdorim armësh, thikash dhe shufrash metalike.
Leci, një nga bashkëpunëtorët e Bashimit, akuzohet gjithashtu për vrasje në tentativë dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Jambelli dhe Leci janë të dy të njohur nga autoritetet shqiptare si të përfshirë në vrasjen e Komisar Artan Cukut në Tiranë.
Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se Marsel Bashimi ishte pjesë e një organizate kriminale shqiptare që operonte në Athinë dhe qytete të tjera, duke kryer vjedhje të përditshme në transportin publik, grabitje dhe trafik armësh. Në një dosje të vitit 2022, ai figuron mes 41 të pandehurve, ku 30 ishin arrestuar në një operacion masiv të policisë greke.
Marsel Bashimi kishte hyrë ilegalisht në Greqi disa herë, ishte dëbuar për rrezik publik dhe ishte kapur me armë dhe dokumente false. Duke marrë parasysh përfshirjen e të vëllait në struktura të thella kriminale, autoritetet nuk përjashtojnë që urdhri për vrasjen e Artur Bashimit të jetë dhënë nga një i burgosur, ndoshta për të “dëmtuar moralin” e Marselit, siç është shprehur ky i fundit në një dëshmi.
Hetimet janë ende në vazhdim dhe autoritetet po kërkojnë lidhje të mundshme me porositës të jashtëm dhe me grupe të tjera kriminale që operojnë në Greqi e Shqipëri.