Në një ngjarje me përmasa ndërkombëtare, një person i identifikuar si Artur Tushi, 44 vjeç, është bërë viktima e një vrasjeje në shëtitoren “El Poblado”, në jug të qytetit Medellín. Autoritetet njoftuan se ai kishte dokumente ekuadoriane, megjithëse ishte me shtetësi shqiptare.

Sipas policisë metropolitane, Tushi dyshohej të ishte i përfshirë në rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës. Në vendngjarje është arrestuar një person tjetër, 35 vjeç, me shtetësi venezueliane, për akuzat e vrasjes së rënduar dhe mbajtjes së paligjshme të armës së zjarrit. Përmes Interpol-it, autoritetet janë në koordinim me vende tjera për të sqaruar identitetin dhe lidhjet e të arrestuarit.

Kjo vrasje vjen pas një rasti tjetër të një personi të njohur si “El Ecuatoriano”, i vrarë në një fermë në Rionegro, që autoritetet e lidhin me organizatën kriminale ekuadoriane “Los Choneros”. Kjo organizatë është e njohur për bashkëpunimet e saj me kartelin “Clan del Golfo” dhe aktivitetet ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Sipas studiuesit Fernando Quijano, “Los Choneros” kanë aleanca të forta me kartelin e Sinaloas dhe punojnë për të trafikantë të mëdhenj, duke sjellë në Kolumbi, ndër të tjera, doza të mëdha ketamine që ai e quan “merkuri i kuq”. Ai paralajmëroi gjithashtu një interes të madh të këtyre rrjeteve kriminale në portin e Urabá, që pritet të aktivizohet së shpejti dhe që mund të shndërrohet në një pikë strategjike për bizneset kriminale.

Kryetari i bashkisë së Medellín, Federico Gutiérrez, pranoi se qyteti është bërë fole për mafie të huaja që veprojnë në sektorë si trafik droge, shfrytëzim seksual dhe krim ekonomik. Zona turistike e Parkut Lleras është identifikuar si një ndër rajonet ku aktivitetet kriminale janë shtuar së fundmi, përkatësisht me rritjen e vizitorëve të huaj.

Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare po vazhdojnë hetimet për këtë rast dhe janë të përfshira në përpjekje për të zbuluar rrjetet dhe bashkëpunëtorët që qëndrojnë pas këtij vrasjeje dhe krimeve të tjera të ngjashme.