Dëshmitari Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, të dy të akuzuar nga SPAK për vrasjen e biznesmenit, Çajup Selimi, dha dëshminë e tij në seancën gjyqësore.

Ai pranoi se ka patur konflikte me Çajupin, duke pretenduar se i ndjeri i bënte telefonata anonime gruas së tij, në çdo orë të ditës apo të natës.

Ahmet Abedini tha se kishin bërë një padi në gjykatë për këtë çështje, dhe kishin arritur një marrëveshje që mos kishin më konflikte.

“Atë ditë kam qenë në punë, pasdite kam ikur në Gjirokastër, kisha shtruar nënën në spital. Kishim të njëjtin aktivitet tregtar, shisnim materiale ndërtimi. Unë kam dy dyqane. Një punoj unë, një e punonte gruaja. Kam pasur konflikte me Çajupin se i bënte telefonata nuses time, anonime, në çdo orë të ditës apo të natës. Kemi pasur konflikte edhe me fjalë edhe nja dy herë është rrahur me djalin, Elisjanon. I binte telefonit, pa pushim, kisha dy vjet që e kisha marrë. I thamë mos i bjer telefonit. Vajtëm edhe në gjykatë, për këtë punë. I kishte bërë nusja padi. Kishte 5-6 muaj që kishin bërë marrëveshje me policinë që nuk do kishin konflikte”, rrëfen ai.

Ahmet Abedini thotë se ishte i bindur që telefonatat i bënte Çajup Selimi.

“Dua t’i bëj telefonatat, thoshte ai. Bashkëshortes i binte telefoni, në çdo orë të ditës. Ndonjëherë edhe jo anonime. I dërgonte mesazhe. E ngacmonte bashkëshorten. Ajo i thoshte mos i bjer më telefonit. Nuk i përgjigjej”, tregon dëshmitari.

Ahmeti shprehet se vëllai banon në fshat dhe nuk ka qenë në dijeni të telefonatave, ndërsa tregoi se si mësoi për lajmin e vrasjes së Çajupit.

“Vëllai nuk ka qenë në dijeni të telefonatave që i bënte bashkëshortes. Asnjë nga vëllezërit nuk e dinte. Nga ora 12.00 i natës e mora vesh që ishte vrarë Çajupi. Vajta në komisariat, më thanë ata hajde, i pyeta ata unë 10 herë çfarë keni, nuk më thanë. Në komisariat më thanë që ishte vrarë. I thashë që kam qenë rrugëve, kisha çuar nënën në spital. Bujarin mund të kisha 10 ditë pa e takuar. Nëna rrinte me Bujarin, por e shoqëroja unë në spital se ai kishte bagëti, ishte çoban. Erisjano ishte në Tiranë, erdhi pas nja 3-4 ditësh. Atë natë e kërkoi policia, por pastaj folën me telefonin e nuses që Erisjano ishte në Tiranë. Nuk shkuam në varrimin e tij se isha në polici”, tha dëshmitari.