40-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit të bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, më 26 prill të këtij viti në fshatin Balldren të Lezhës, do të qëndrojë në burg.

Besnik Koldreu u njoh në gjykatë me rivlerësimin e masës së sigurisë të dhënë në mungesë ndaj tij dhe, në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Ai mesohet te kete thene se jeton dhe punon në Mal të Zi, ndërsa autorët e krimit e kanë fshehur makinën e përdorur prej tyre ne afersi te banesës ku jetojnë prindërit e tij të moshuar në zonën e Torovicës, pa pasur asnjë dijeni.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 40-vjeçarit Besnik Koldreu, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.Besnik Koldreu u arrestua nga policia malazeze në Ulqin pasditen e 17 qershorit, pasi ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit Mujeci.

Ndërkohë, për krimin e rëndë vijojnë të jenë në arrati edhe tre persona të tjerë, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kryer vrasjen: Renato, Florin dhe Adriano Mhillaj.Kreshnik dhe Gentjana Mujeci u qelluan me bresheri plumbash teksa po leviznin me automjetin e tyre ne aksin Balldre-Torovice ne Lezhe, ndersa nga hetimet e kryera rezulton se vrasja ka ndodhur per hakmarrje.