Një dëshmitar i ngjarjes tragjike që ndodhi një ditë më parë, ku u realizua një atentat i përgjakshëm që përfundoi me vrasjen e Gilmando Danit dhe plagosjen e Muçi Sheqerit, ka ndarë momentet e tmerrshme që ka përjetuar përpara syve të tij. Ai e ka cilësuar ngjarjen si “një breshëri plumbash,” duke thënë se ishte “i tmerruar” dhe se gjithçka i është dukur si një skenë filmi.

Në një intervistë për Euronews, ai ka treguar se, ndërsa po kalonte në afërsi të vendngjarjes, ka dëgjuar të shtëna dhe ka parë skenën për të cilën u shokua. Ai ka theksuar se nuk ka pasur asnjë prezencë policie në atë moment, edhe pse autoritetet mbërritën shpejt pas ngjarjes. “Kur po kaloja, dëgjova të shtënat. U tremba dhe pashë kallashin që u përdor. Automjeti u ndal, një person u vra dhe tjetri u plagos. Për mua është si një film, jam i shokuar dhe i tmerruar. Na largoi policia. Ata erdhën shpejt, por në atë moment nuk kishte prezencë policie,” rrëfen dëshmitari.

Ngjarja ndodhi në një zonë ku, sipas dëshmitarit, nuk kishte asnjë patrullë policie të pranishme, çka i ka shtuar më shumë frikën qytetarëve që ndodhen aty. Ai gjithashtu ka përmendur përdorimin e një arme kallashnikov nga autorët, të cilët kanë hapur zjarr ndaj automjetit tip “Benz” me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Sheqeri, të dy të kthyer nga Barcelona.

Gjithashtu, gjatë hetimeve është zbuluar se një person, i cili ka qëndruar mjaft afër vendit të krimit dhe është parë me syze, mund të ketë pasur një rol si informator për autorët e atentatit. Ai ka mbajtur nën mbikëqyrje viktimat dhe ka ndihmuar autorët në realizimin e ekzekutimit mafioz.