Atentati i rëndë i ndodhur sot tek rrethrrotullimi i Rinasit ka lënë pas dy viktima dhe dy të plagosur. 47-vjeçari Gilmando Dani ka humbur jetën në vend, ndërsa 40-vjeçari Mustafa Sheqeri, i njohur si Muço Shaljani, është plagosur rëndë, duke marrë dy plumba në kokë. Hetuesit kanë zbuluar detaje të reja që hedhin dritë mbi ngjarjen, duke identifikuar një person të dyshuar që ka luajtur rolin e vëzhguesit dhe informatorit për autorët e krimit.
Sipas hetimeve të deritanishme, një person ka ndjekur dhe informuar autorët e atentatit gjatë gjithë kohës që viktimat ishin në aeroport. Ky person është parë duke ruajtur Gilmando Danin dhe Mustafa Sheqerin që nga momenti kur ata dolën nga terminali i aeroportit dhe hynë në parkimin për të marrë automjetin që kishin lënë atje më 7 nëntor, para se të udhëtonin drejt Barcelonës. Në fillim, ai ka qenë i maskuar me syze, por më pas është shfaqur pa asnjë mbulesë që e ka bërë më të lehtë identifikimin nga grupi hetimor.
Ky person qëndronte jo më larg se 30 sekonda nga viktimat dhe i ndihmonte autorët, duke informuar ata në lidhje me lëvizjet e viktimave. Sipas kamerave të sigurisë, ky person është parë duke ruajtur automjetin tip benz, ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muço Shaljani, përpara se të largohej pas kryerjes së krimit, duke marrë automjetin e parkuar dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetuesve, autorët dyshohet se kanë qenë tre persona, të cilët kanë qëlluar me armë tip kallashnikov në drejtim të automjetit tip benz, ku ndodheshin viktimat. Sipas dëshmive dhe kamerave të sigurisë, fillimisht ata kanë qëlluar një herë, duke plagosur rëndë Sheqerin, i cili ka tentuar të largohet, por ka qenë i pamundur për shkak të plagëve. Pas një periudhe të shkurtër, automjeti tip Toyota, që dyshohet se ishte përdorur nga autorët, ka rikthyer në vend dhe ka qëlluar përsëri në drejtim të automjetit të viktimave.
Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin, i cili madje në një kohë të shkurtër ishte pajisur dhe me certifikatë sigurie. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por aktualisht punonjësi i AMP ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa dy prej plumbave e kanë prekur në kokë. 40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton që të jetë pa precedentë të mëparshëm penal.
Autori kryesor, i cili është përshkruar si më aktiv, ka zbritur nga automjeti dhe ka shkuar afër derës së pasagjerit të automjetit të Gilmando Danit. Aty, ai dyshohet se ka përdorur një armë të tipit pistoletë dhe ka qëlluar nga një distancë shumë e afërt, duke lënë të vdekur Danin në vend. Pas ekzekutimit të atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi drejt fshatit Halil, ku dyshohet se kanë djegur automjetin dhe armët e përdorura për të kryer krimin.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja që dyshohet të i përkasin armëve të tipit kallashnikov. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht këtë krim të rëndë dhe për të identifikuar autorët e tjerë të mundshëm. Aktualisht, është identifikuar personi që ka luajtur rolin e vëzhguesit, dhe pritet shpallja e tij në kërkim dhe arrestimi për bashkëpunim në këtë krim të rëndë.
Mustafa Sheqeri, i njohur si Muço Shaljani, ndodhet në gjendje kritike në spital, pas marrjes së dy plumbave në kokë. Mjekët janë duke u munduar të stabilizojnë gjendjen e tij, ndërsa ekipi hetimor po mbledh informacion në lidhje me ngjarjen për të zbardhur arsyet e këtij atentati.
Policia e Tiranës ka intensifikuar hetimet për të zbuluar të gjithë skemën e krimit dhe për të identifikuar çdo bashkëpunëtor tjetër të mundshëm.
