Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, reagoi ashpër ndaj akuzave të opozitës në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Kalaja, duke mohuar çdo përgjegjësi të Policisë së Shtetit dhe duke akuzuar opozitën për nxitje të gjuhës së urrejtjes ndaj sistemit të drejtësisë.
Teksa deputeti i PD-së, Flamur Noka, tentonte të pengonte fjalën e saj në Kuvend, Koçiu u shpreh se nëse ndonjë punonjës policie do të kishte pasur lidhje me ngjarjen, ai do të ishte arrestuar menjëherë.
Koçiu: Kush ka qenë nxitësi dhe bullizuesi më i madh. Nxitësi dhe urrejtësi dhe njeriu më i pështirë që mund të ekzistojë në këtë politikë parlamentar. Iu dëgjova të gjithëve dhe keni merakun sikur kam gënjyer dhe mashtruar. Ju e dini fare mirë, një pjesë e juaja janë juristë. Nëse do kishte përgjegjësi një polic, do ishte në arrest. Policia ka kryer veprimet e veta ligjore, mjafton të shihni bazën ligjore që ky Kuvend e ka miratuar që në vitin 2016. Jam e bindur që nuk u pëlqen deputetëve. Produkti i kësaj reforme janë ndarjet e qarta të gjithsecilit. Më vjen keq, nuk më intimidon duke më treguar me gisht. Jam një grua në detyrë, kjo gjuhë e juaja ka krijuar këtë ngarkesë. Mos e politizo situatën.
Peleshi: Z.Noka vërejtje
Koçiu: Turp të kesh, ktheji nga vetja të gjitha këto që thua.
Peleshi: Z. Noka iu heq të drejtën e fjalës ditën e sotme