Policia greke ka vënë në pranga katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e mafiozit Jorgos Moskouris, ekzekutim i ndodhur në prill të vitit 2025 në zonën e Halandri.
Operacioni policor u zhvillua më 6 maj, pas një hetimi disamujor të Departamentit të Vrasjeve në Greqi. Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohet se kanë siguruar mbështetjen logjistike për autorët e atentatit, duke furnizuar armë, automjete dhe transport për ekzekutorët që besohet se mbërritën nga jashtë vendit vetëm për kryerjen e krimit.
Në pranga kanë rënë dy shtetas grekë me origjinë shqiptare, të identifikuar si Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si edhe dy shtetas grekë të tjerë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Hetimet janë fokusuar tashmë te figura e njohur si “Entik”, i konsideruar nga policia greke si personazh kyç i mafias rusishtfolëse, i cili dyshohet se ndodhet në Dubai. Autoritetet besojnë se urdhri për eliminimin e Moskouris lidhet me konfliktet për kontrollin e kontrabandës së duhanit.
Në dosje përmendet edhe emri i Janis Lalas, i cili më parë kishte bashkëpunuar me viktimën, ndërsa më pas dyshohet se u afrua me grupin rivale të lidhur me “Entik”.
Katër të arrestuarit akuzohen edhe për përfshirje në ngjarje të tjera kriminale, përfshirë një shpërthim me eksploziv në një biznes automjetesh në Nea Erythraia gjatë vitit 2024. Po ashtu, ata dyshohen për survejim të paligjshëm, pasi policia zbuloi pajisje GPS dhe kamera pranë banesës së një avokateje të lidhur me qarqet e mafias greke.
Megjithatë, autorët e drejtpërdrejtë të ekzekutimit mbeten ende në kërkim. Sipas hetuesve, të paktën dy persona të huaj morën pjesë në atentat dhe u larguan menjëherë pas krimit.
Ekzekutimi i Moskouris ndodhi më 24 prill 2025, jashtë një klinike private në Halandri, ku autorët i ngritën pritë 55-vjeçarit dhe hapën zjarr me kallashnikov sapo ai iu afrua automjetit të tij. Pas atentatit, autorët u larguan me një makinë të vjedhur, e cila u gjet më vonë e djegur në zonën e Patimës.
