Mediat spanjolle kanë rikthyer në vëmendje vrasjen e shqiptarit Miklovan Dakaj, duke zbuluar detaje të reja që hedhin dritë mbi mënyrën si u organizua dhe u fsheh krimi. Sipas një artikulli të publikuar nga Málaga Hoy, autorët nuk synonin vetëm eliminimin fizik të 31-vjeçarit, por edhe zhdukjen e plotë të çdo gjurme që mund të çonte drejt tyre.
Sipas të dhënave të publikuara, grupi i përfshirë kishte ndërmarrë një strategji të dyfishtë: nga njëra anë ushtronin presion ndaj familjarëve që të hiqnin dorë nga kërkimi i trupit, ndërsa nga ana tjetër përhapnin informacione të rreme në mediat shqiptare për të krijuar konfuzion dhe për të devijuar vëmendjen nga hetimi. Rrethi i viktimës u bë gjithashtu objekt kërcënimesh, përfshirë edhe kontakte direkte jashtë Spanjës.
Trupi i Dakajt u zbulua vetëm pas pesë muajsh, në një zonë të izoluar pranë rezervuarit të Casasolas, në Almogía. Një kalimtar i rastësishëm, që ndodhej aty për kamping, vuri re një thes të dyshimtë në baltë, në një moment kur niveli i ujit kishte rënë. Brenda tij ndodhej trupi i pajetë, i lidhur dhe i rënduar me blloqe betoni për të qëndruar në fund të ujit.
Gjendja e avancuar e dekompozimit tregonte se trupi kishte qëndruar për muaj të tërë i zhytur, por megjithatë u arrit të identifikohej falë disa elementeve dalluese, përfshirë tatuazhet dhe veshjet. Analizat e ADN-së konfirmuan më pas identitetin.
Hetimet për këtë ngjarje kishin nisur që më 12 maj 2025, kur partnerja e Dakajt denoncoi zhdukjen e tij në Marbella. Sipas saj, ai ishte larguar për një takim me persona të njohur dhe nuk ishte kthyer më. Mungesa e çdo kërkese për shpërblim apo kontakti me familjen e bëri që pista e rrëmbimit të përjashtohej shpejt, duke orientuar hetuesit drejt një skenari më të rëndë.
Autoritetet spanjolle rindërtuan lëvizjet e fundit të viktimës përmes kamerave të sigurisë dhe analizës së kontakteve të tij, duke zbuluar lidhje me persona të përfshirë në trafikun e drogës. Sipas hetuesve, disa nga autorët e dyshuar kishin ardhur nga Barcelona, kishin monitoruar zonën paraprakisht dhe më pas kishin kryer krimin, për t’u larguar menjëherë pas tij.
Dakaj dyshohet se u josh në një takim të rremë për një marrëveshje droge në zonën Puerto de la Torre. Prej aty, ai u dërgua drejt rezervuarit, ku edhe u vra. Nuk janë konstatuar shenja përleshjeje, çka sipas hetuesve tregon se viktima nuk e kishte kuptuar rrezikun deri në momentet e fundit.
Motivi i krimit mbetet ende i paqartë, por dyshimet kryesore lidhen me një konflikt apo borxh në botën e trafikut të narkotikëve. Sipas burimeve hetimore, nuk ka prova për grabitje, çka përforcon pistën e një ekzekutimi të qëllimshëm.
Ngjarja ishte menduar të mbetej pa gjurmë: trupi i zhdukur, pa dëshmitarë dhe pa prova. Por rënia e nivelit të ujit në rezervuar ndryshoi gjithçka, duke nxjerrë në sipërfaqe një krim që autorët kishin tentuar ta fshihnin përgjithmonë.
