Aldo Buzhani, vëllai i Mondi Mëhallës, është marrë në pyetje për herë të dytë nga autoritetet hetimore lidhur me vrasjen e ndodhur më 30 nëntor 2025, në qytetin e Elbasanit.
Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Buzhani ka sqaruar se vëllai i tij, Mondi, nuk ka pasur konflikte me ortakun e tij, Xhino Ago, i cili është aktualisht i ndaluar në burg. Aldo ka theksuar se marrëdhënia mes tyre ka qenë e shkëlqyer dhe ka hedhur poshtë çdo dyshim për përfshirjen e Agos në ngjarje.
Për të mbështetur këtë pohim, Buzhani dhe motra e tij, Brunilda Mëhalla, kanë depozituar një deklaratë noteriale në Prokurorinë e Elbasanit. Ata shprehen se marrëdhënia e familjes me Xhino Agon ka qenë gjithmonë shumë miqësore dhe e ngushtë, duke e konsideruar Agon si një pjesë të familjes. Aldo Buzhani ka shtuar në deklaratën e tij: “Xhino është si vëllai im, kisha dy vëllezër dhe tani kam një vëlla: Xhinon.”
Përsa i përket konflikteve të mundshme të viktimës, Aldo ka përmendur një mosmarrëveshje të vëllait të tij me Marselo Arani, që lidhet me një marrëveshje për dhënien me qira të disa automjeteve dhe pas një konflikti për dy vila në Tiranë.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërkohë që prokuroria ka arrestuar disa persona, përfshirë Nevzat Spahon, Kujtim Pishën, dhe Xhino Agon. Dy të tjerë, Marselo Arani dhe Armando Kola, janë ende në kërkim.
Nevzat Spaho, një prej të dyshuarve kryesorë, ka mohuar çdo akuzë lidhur me vrasjen e Mondi Mëhallës, duke paraqitur versione të tjera të ngjarjes. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit.
