Armando Markun, 26-vjeçari i cili kërkohej nga autoritetet britanike për vrasje, ka vendosur të dorëzohet këtë të martë në ambientet e Policisë së Tiranës.

Marku ishte shpallur në kërkim prej 7 vitesh pasi akuzohet për përfshirje në vrasjen e një ish-snajperisti në qytetin Hartlepool, Angli, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2019. Por për këtë ngjarje akuzohen edhe dy shqiptarë të tjerë, Sajmir Dodoveci dhe Eugert Merizaj, i njohur në TikTok si ‘Babalja’.

Si pjesë e hetimeve të vazhdueshme mes Policisë së Cleveland-it, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe partnerëve ndërkombëtarë, shtetasi shqiptar, Sajmir Dodoveci 40 vjeç, u ndalua në një stacion treni në Bruksel të martën, më 23 dhjetor 2025. Dodoveci u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u akuzua për vrasjen e kurdit Hemawand Ali Hussain, 32 vjeç, i cili u qëllua nga afër brenda një shtëpie në Charterhouse Street në shtator 2019.

Ai u paraqit më 9 janar në Gjykatën e Magjistrale të Teesside dhe u la në paraburgim deri në paraqitjen e tij në Gjykatën e Kurorës së Teesside të martën e 13 janarit 2026. Hetimet e gjera të mëparshme nga Policia e Cleveland-it çuan në dënimin me burgim të përjetshëm të Eugert Merizaj për vrasjen e Hussain. Ai ishte larguar nga Mbretëria e Bashkuar pas vrasjes dhe gjithashtu u gjurmua në Belgjikë, u ekstradua përsëri në Angli dhe u dërgua në gjyq, ku u shpall fajtor.

Ndërkohë, 26-vjeçari Armando Marku ishte i fundit nga të akuzuarit që kishte mbetur në arrati, deri këtë të martë kur vendosi që të vetëdorëzohej në policinë e Tiranës. Hussain, kishte qenë snajper me forcat kurde dhe kishte luftuar gjithashtu kundër ISIS-it në Irakun verior, ndërsa nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e vrasjes së tij.