Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për vrasjen e biznesmenit Besnik Hida dhe ka dërguar çështjen për gjykim. Në dosjen e dorëzuar në gjykatë, SPAK kërkon që Ardjan Ahmetaj të gjykohet për rolin e tij të dyshuar në ngjarje, ndërsa për Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin ka kërkuar pushimin e procedimit penal, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i implikuar.
Sipas akuzës, Ardjan Ahmetaj dyshohet se ka pasur rol mbështetës në organizimin dhe realizimin e atentatit ndaj Besnik Hidës, i cili u vra me armë zjarri më 1 tetor 2019, teksa ndodhej në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnjë.
Nga hetimet rezulton se autorët që ekzekutuan biznesmenin nuk janë identifikuar ende, pasi gjatë kryerjes së krimit ishin të maskuar. Megjithatë, SPAK vlerëson se Ahmetaj ka ndihmuar në krijimin e kushteve për realizimin e atentatit dhe për këtë arsye kërkon që ai të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë, për dy personat e tjerë që u hetuan në kuadër të së njëjtës dosje, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se provat e administruara nuk mjaftojnë për të mbështetur akuzat ndaj tyre, ndaj ka kërkuar mbylljen e procedimit penal.
